Kerko mbi 50,000 Faqe Shqiptare , Google, Youtube, Wikipedia, Bing ne te njejten kohe

Part-time, UT hap dyert për 2360 kuota. Vendos MASH

Part-time, UT hap dyert për 2360 kuota. Vendos MASH

Do të jetë pikërisht dikasteri i Ministrisë së Arsimit që do të vendosë se sa do të jetë numri përfundimtar, i atyre që do të ndjekin studimet e larta me kohë të pjesshme në Universitetin e Tiranës.

TIRANE-Universiteti i Tiranës do të presë këtë vit akademik plot 2360 kandidatë në sistemin e studimeve të pjesshme. Ky ka qenë propozimi që i ka bërë universiteti më i madh në vend, Ministrisë së Arsmit dhe Shkencës për kuotat e part-time. Drejtuesit e UT-së, thonë se ata i kanë të gjitha mundësitë për të pritur këtë numër studentësh, pasi propozimi që i është dërguar MASH-it është bërë duke marrë parasysh jo vetëm ambientet ku do të marrin leksionet studentët e part-time, por edhe kapacitet akademike.
Vetëm dega e Biologjisë, pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës, do të jetë e hapur për të gjithë, d.m.th nuk është vendosur një numër i kufizuar pranimesh. Ndërsa për të gjithë degët e tjera numri i studentëve që do të pranohen në sistem part-time për vitin akademik 2009-2010 do të jetë i limituar. Kështu fakulteti i Ekonomikut do të shënojë rekordin më të lartë të pranimeve për sistemin part-time, përkatësisht me 1270 kuota që do të shpërndahen midis degëve të tij.

Ndërsa në fakultetin e Histori-Filologjisë do të akomodohen rreth 450 kandidatë, kuota këto të shpërndara në mënyrë të barabartë për të tria degët e studimit: Gjeografi, Histori dhe Gjuhë-Letërsi.

Më pas renditet fakulteti i Drejtësisë, për të cilin janë propozuar si kuota të mundshme pranimi rreth 400 vende, ndërsa fakulteti i Infermierisë do të ofrojë studime të pjesshme në degën e Infermierisë së përgjithshme, për të cilën janë kërkuar rreth 300 kuota.

Ndërsa fakulteti i Shkencave Sociale ka kërkuar 240 kuota që do të ndahen midis Punës Sociale dhe Psikologjisë.

Ndjekja e studimeve të larta me kohë të pjesshme do të shoqërohet me rritje të faturës financiare që aplikuesit do të duhet të paguajnë për vitin akademik. Ndonëse nuk janë përcaktuar ende tarifat përfundimtare për të gjitha programet e studimit, vetëm për degën e biologjisë tarifa e studimit do të jetë rreth 1 milion lekë (të vjetra). Ndërkohë që një vit më parë tarifa e shkollimit për sistemin part-time ishte 75 mijë lekë të reja për degët e Ekonomikut, 50 mijë lekë për një nga tre profilet e Filologjikut, dhe 150 mijë lekë të reja për Drejtësinë, si dhe rreth 80 mijë lekë të reja kushton një vit akademik part-time te Shkencat Sociale. Edhe tarifat e reja miratohen vetëm me vendim të qeverisë, pasi universitetet bëjnë vetëm propozimet. Ndjekja e programit të dytë të studimit pranë Fakultetit të Shkencave Sociale do të kushtojë rreth 60 mijë lekë, ndërsa masteri i nivelit të parë njëvjeçar do të kushtojë rreth 360 mijë lekë. Gjithashtu edhe pranë Fakultetit të Shkencave të Natyrës do të ofrohet masteri i nivelit të parë, i cili do të kushtojë rreth 50 mijë lekë.
(s.g/GSH/BalkanWeb)



Komente: