Kerkim per Faqe Shqiptare, Google, Youtube, Wikipedia, Bing ne te njejten kohe
Portali Shqiptar

Zgjedhjet në Kosovë, mesazhi i Tadic “nxeh” Prishtinën

Zgjedhjet në Kosovë, mesazhi i Tadic “nxeh” Prishtinën

Kreret kosovare kane reaguar menjehere pas deklarates se presidentit serb qe porosiste qe serbet e Kosoves te mos votojne ne zgjedhjet kosovare. Presidenti i Kosoves, Kryeministri, opozita kosovare jane deklaruar ashper rreth ketij qendrimi.

PRISHTINE-Krerët kosovarë kanë reaguar ndaj vlerësimeve të kabinetit të presidentit serb, Boris Tadic, sipas të cilit nuk ka kushte që serbët të dalin në zgjedhjet lokale që do të mbahen në gjysmën e muajit nëntor në Kosovë.
Presidenti Fatmir Sejdiu e ka cilësuar qëndrimin e homologut të tij serb vazhdimësi të polikës destruktive të Serbisë ndaj Kosovës.
“Mendoj se është një provë plus për të dëshmuar qasjen joracionale dhe të padrejtë që ka (Tadic) edhe ndaj serbëve të Kosovës, sepse në këtë mënyrë ai bën përpjekje t’i mbajë peng lëvizjet e tyre dhe kthimin tek realiteti”.

Në të njejtën linjë ka qenë edhe reagimi i kryeministrit Hashim Thaçi. Ai ka përsëritur ftesën e tij drejtuar qytetarëve serbë që të dalin në zgjedhje dhe të kontribuojnë për të ardhmën e tyre në Kosovë.

“Mesazhi i presidentit Tadic është një mesazh i keq që përkon me mentalitetin e politikës së kaluar të Beogradit. Ne i kemi ftuar serbët që të jenë pjesë e institucioneve dhe janë pjesë e institucioneve, po integrohen në shoqërinë e re demokratike kosovare”, u shpreh kreu i qeverisë.

Sipas kryeministrit kosovar, vetëm rikthimi i policëve serbë në institucionet e Kosovës tregon se Kosova po ndërton shtet demokratik, shtet modern, shoqëri multietnike, me perspektivë të sigurtë për t’u integruar në NATO dhe Bashkim Evropian.

Për shefin e grupit parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës në opozitë, Ardian Gjini, deklarata e presidentit Tadic është hapje e një piste për negociim të kushteve për daljen e serbëve në zgjedhje.
Kjo sipas tij është një politikë e gabuar e Beogradit, që shkon në dëm të vet serbëve.
Serbët e Kosovës ndërkaq mbeten të ndarë të dysh sa i përket pjesëmarrjes së tyre në zgjedhje. Kundërshtimi më i ashpër ndaj daljes në votime vjen nga përfaqësuesit e serbëve në veri të Kosovës.

Njëri nga ata, Marko Jakshic e ka vlerësuar të drejtë mesazhin e presidentit Tadic.
“Mendoj se vendimi i presidentit Tadiq është i drejtë. Ndoshta ai vendim do të ishte i kompletuar sikur t’i ftonte edhe të gjithë serbët që janë në Kuvendin dhe Qeverinë e shtetit të vetshpallur të Kosovës që t’i braktisin ato institucione, kështu që në këtë mënyrë ai do të ishte absolutisht i plotë.

Sidoqoftë unë besoj qe edhe anëtarët dhe simpatizuesit e Partisë Demokratike do ta dëgjojnë presidentin e tyre dhe nuk do të paraqiten në këto zgjedhje, sepse dalja e serbëve në këto zgjedhje do të nënkuptonte që ata do të legalizojnë dhe do të legjitimojnë një krijesë parashtetërore separatiste, me të cilën nuk pajtohet politika e shtetit dhe qeverisë së Serbisë”, ka deklaruar Jakshic.

Por Sllobodan Petrovic nga Partia Liberale Serbe, e cila është pjesë e Kuvendit dhe Qeverisë së Kosovës, ka qëndrim krejtësisht tjetër. Ai thotë se integrimi i serbëve në institucionet e vendit është rruga e vetme për përmirësimin e jetës së tyre.

Politikania serbe, Rada Trajkovic beson se presidenti serb Tadic nuk do t’i porosisë serbët që të bojkotojnë zgjedhjet e Kosovës.

Ndërkaq Zyra Civile Ndërkombëtare, nuk ka pranuar të komentojë qëndrimin e presidentit të Serbisë.
Por zëdhënësi i ICO-s, Andy McGuffie tha për BBC-së se ata dhe qeveria po vazhdojnë përgatitjet për themelimin e komunave të reja që do të udhëhiqen nga serbët.

(d.b/BBC/BalkanWeb)



Komente: