Lajme te tjera
- Gjilan, sot fiton Mustafa apo Rexhepi?
- Lëvizja Fol: Qeveria e Kosovës deklarata të pavërteta
- EULEX-i dënon sulmin në Zubin Potok
- Zubin Potok, shpërthim eksplozivi në pikën kufitare të portës 31
- Policia e gatshme për procesin zgjedhor në Gjilan
- Arrestohen 9 serbe, kryen krime lufte në Kosovë
- Meta thirrje serbëve: Qëndroni në Kosovë
- Kosovë, hakerat serbë sulmojnë faqen e Min. Drejtësisë
- Feith i kërkon Thaçit të largojë një ministër nga qeveria
- DASH: Kritika Kosovës për korrupsionin
Apeli i dhuron pafajësinë ish-zv/ministrit Nikolin Jaka

Pushohet çështja ndaj Nikolin Jakës dhe ish-vartësit të tij, Bashkim Kamberi. Jaka dhe të pandehurit e tjerë përfunduan në qeli më 2007-en, në kuadër të operacionit të koduar "Duart e pastra. Kur kanë kaluar më shumë se dy vite, të gjithë të pandehurit kanë rifituar lirinë
TIRANE-Ish-zv/ministri i Transporteve, Nikolin Jaka, i cili qëndroi nëntë muaj në qeli pasi u akuzua për abuzime me tenderat e rrugëve, fiton betejën me drejtësinë. Gjykata e Apelit vendosi të prishë dje vendimin e Shkallës së parë dhe të pushojë çështjen ndaj ish-zv/ministrit të Transporteve, Nikolin Jaka dhe ish-vartësit të tij në këtë dikaster, Bashkim Kamberi. Nikolin Jaka u dënua nga gjykata e Tiranës me 1 vit e 20 ditë burg, 800 mijë lekë gjobë, si dhe për tri vite iu hoq e drejta për të ushtruar ndonjë funksion publik. Kamberi u dënua me 1 vit e 20 ditë burg. Shkalla e dytë e gjyqësorit e prishi këtë vendim, duke çliruar nga akuzat Jakën e Kamberin, të cilët qëndruan në qeli për nëntë muaj me radhë. Ndërkaq, për të pandehurit e tjerë u la në fuqi vendimi i Shkallës së parë. Kështu, për Ilirian Berzanin, ish-drejtor i Përgjithshëm i Rrugëve, mbetet në fuqi dënimi prej tri vitesh burg, 1.6 milionë lekë gjobë dhe për 5 vite i hiqet e drejta për të ushtruar ndonjë funksion publik. Për Arjan Shetin, ish-drejtor juridik i ministrisë së Transporteve, mbetet në fuqi dënimi me 1 vit e katër muaj burg, 600 mijë lekë gjobë. Për Xhevahir Muçogllavën, ish-kryetar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave në DPRR, 1 vit burg. Për Isuf Ukperajn, ortak i shoqërisë "Vllazëria" sh.p.k dhe Skënder Bokçiun, ortak i shoqërisë "Arifaj" sh.p.k, Apeli la në fuqi vendimin për dënimin e tyre me 1 vit e 20 ditë burg dhe 600 mijë lekë gjobë. Nikolin Jaka dhe të pandehurit e tjerë përfunduan në qeli më 17 shtator 2007, në kuadër të operacionit të koduar "Duart e pastra". Ish-zyrtarët akuzoheshin për abuzime me pesë tendera rrugësh e konkretisht, rruga paralele me autostradën Tiranë-Vorë, rruga Himarë e Vjetër-Kthesa e Pilurit, rruga Has-Qafë Prush, rruga Dragobi-Valbonë dhe rruga Dhërmi-Himarë-Qeparo. Kur kanë kaluar më shumë se dy vite, të gjithë të pandehurit kanë rifituar lirinë.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
