Kerko mbi 50,000 Faqe Shqiptare , Google, Youtube, Wikipedia, Bing ne te njejten kohe

ISG mbështet strategjinë për integrimin e veriut

ISG mbështet strategjinë për integrimin e veriut

VJENE-  Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën (ISG) në takimin e së hënës në Vjenë i ka dhënë mbështetje strategjisë së autoriteteve vendore dhe ndërkombëtare për integrimin e veriut të Kosovës, ndërsa i ka kërkuar Serbisë të ketë një rol konstruktiv në këtë drejtim.

Grupi, që përbëhet nga përfaqësues të 25 vendeve që kanë njohur pavarësinë e Kosovës, u mblodh në prag të dyvjetorit të funksionimit të Kosovës si shtet për të vlerësuar përparimet e bëra në zbatimin e planit të Ahtisarit.

Integrimi i të gjitha komuniteteve në shoqërinë kosovare, sidomos i atij serb, u vlerësua si sfidë kyçe për të siguruar të ardhme të qëndrueshme dhe për të forcuar demokracinë në Kosovë.

Përmes një komunikate për media, Grupi Drejtues Ndërkombëtar për Kosovën u bëri thirrje të gjitha palëve, përfshirë edhe Republikën e Serbisë, që të luajnë rol konstruktiv për të siguruar kushte më të mira për jetesë në veri të Kosovës.

“Integriteti territorial i Kosovës është i lidhur ngushtë me stabilitetin rajonal. Bashkëpunimi i zgjeruar rajonal është në interesin më të mirë të Ballkanit Perëndimor dhe Perspektivës së tij Evropiane”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e Grupit Drejtues Ndërkombëtar, ku Kosovës, Serbisë dhe shteteve fqinje u bëhet thirrje të angazhohen në dialogun pragmatik për çështjet e përbashkëta.

Në takimin e Vjenës, u rishqyrtua edhe mandati i kreut të Zyrës Civile Ndërkombëtare, Pieter Feith, i cili është edhe përfaqësues i Bashkimit Evropian në Kosovë.
(s.g/bbc/balkanWeb)



Komente: